Paketa e maleve po ecën ngadalë, Rama: Brenda tetorit të kemi gati hartat me zonat prioritare
Kryeministri Edi Rama kërkoi nga bashkitë që brenda muajit tetor të përgatisin hartat për përcaktimin e zonave prioritare të zhvillimit në kuadër të Paketës së Maleve.
Përfitime për investitorët dhe thirrje për veprim nga bashkitë
Gjatë një takimi të zhvilluar sot, Rama u shpreh se interesi për paketën ka qenë i lartë që në ditët e para të hapjes së aplikimeve, me mbi 800 shprehje interesi, kryesisht nga shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Ai theksoi se pavarësisht interesit, shumë bashki nuk kanë dërguar ende hartat e zonave prioritare në qeveri për miratim.
“Kjo është dekurajuese për investitorët që presin përgjigje. Paketa është një mundësi reale për të zgjidhur problemet e pronësisë që i kanë mbajtur njerëzit larg investimeve në tokën e tyre,” deklaroi Rama, duke theksuar se bashkitë si Përmeti, Elbasani, Belshi dhe Tropoja e kanë përfunduar tashmë këtë proces.
Përjashtime fiskale për përfituesit e parë
Kryeministri kujtoi se paketa për zonat malore parashikon përjashtime nga tatimet dhe taksat për 10 vitet e para për 500 përfituesit e parë, duke përfshirë TVSH-në, tatimin mbi fitimin, taksën e pronës dhe atë të ndikimit në infrastrukturë. Ai kërkoi nga çdo bashki ngritjen e një task force për të lehtësuar procedurat për investitorët.
Objektivi: rigjallërimi i ekonomisë rurale dhe agroturizmit
Sipas Ramës, qëllimi i paketës është të nxisë investimet në agroturizëm dhe ferma, duke u dhënë mundësi pronarëve që kanë pasur pengesa me dokumentacionin të zhvillojnë tokën e tyre. Projektet do të mund të merren me kontrata simbolike 1 euro, ndërsa investitorët do të gëzojnë të drejtën e zhvillimit sapo të përfundojë procesi i verifikimit të pronësisë.